Përshkrim
Net të bardha – Fjodor Dostojevski
– Pra, çfarë njeriu jeni? Më shpejt – filloni, rrëfemëni historinë tuaj.
– Historinë! – thirra unë i trembur, – historinë! Kush ju tha se unë kam një histori timen? Unë nuk kam histori…
– Po si keni jetuar kur nuk keni histori? – ma preu fjalën duke qeshur.
– Krejt pa asnjë histori kam jetuar, të asnjë trajte. Jetoja, siç thuhet nga anët tona, krejt i ndarë nga tufa, pra fare fillikat… I vetëm, i vetëm fare… E kuptoni se çfarë nënkupton i vetëm fare?
– Po si vallë, krejt i vetëm? Pra, ju kurrë nuk keni parë ndokënd?
– Oh jo, për të parë, kam parë – e megjithatë jam i vetëm.
– Po ju nuk fjalosni, vallë, me asnjë?
– Në kuptimin e ngushtë, me asnjë.
– Po kush jeni ju, shpjegohuni!
***
… ja, tashmë edhe libri i marrë pa qëllim dhe rastësisht, i bie nga duart ëndërrimtarit tim, pa mbërritur as edhe gjer te faqja e tretë. Imagjinata e tij përsëri u kurdis, u ngacmua, dhe papritur përsëri një botë e re, një jetë e re magjepëse shkëlqeu para tij në një perspektivë të shkëlqyeshme.
Një ëndërr e re – një lumturi e re! Një mënyrë e re e helmit të holluar që zgjon epshet! Oh, ç’kërkon ai në jetën tonë reale! Në shikimin e tij joshës, ne të dy, Nastjenka, jetojmë aq plogët, aq ngadalë, aq ngathët; sipas shikimit të tij, ne të gjithë jemi aq të pakënaqur me fatin tonë, aq të lodhur me jetën tonë!
Dhe në të vërtetë, shikoni, a s’është kështu, si me shikim të parë, gjithçka midis nesh e ftohtë, e zymtë si e vrazhdë… “Të shkretët”, mendon lexuesi im.





Shqyrtime
Ende pa shqyrtime.