Përshkrim
Arti i Negocimit – Vasil Naçi
Negocimi është një proces delikat balancimi për të arritur marrëveshje midis dy ose më shumë palëve. Negocimi është një proces që përfshin një seri aftësish dhe teknikash komunikimi midis dy personave apo grupeve, për të përmbushur nevojat dhe interesin e përbashkët të palëve.
Negocimi është një pikë takimi e mendjeve dhe emocioneve, një fushë ku njohuritë, aftësitë komunikuese, bindëse dhe aftësua për të kuptuar nevojat e të tjerëve ndërveprojnë bashkërisht për të arritur marrëveshje të suksesshme të ndërsjellta, në çdo sferë të jetës.
Negocimi është art, por edhe një aktivitet i parashikueshëm që ka parime, lëvizje, strategji, dhe kundërveprime të parashikuara.
Shumë njerëz mendojnë se negociatat janë thjeshtë art dhe jo shkencë. Ata harrojnë se instikti nuk është strategji. Ndërsa negociojnë, ata mbështeten vetëm tek instikti apo intuita dhe nënvlerësojnë përgatitjen e vazhdueshme; si rrjedhim, ata nuk arrijnë rezultatet e dëshiruara. Pra, negocimi është art, por edhe shkencë praktike.
Qëllimi i këtij libri është të ndihmojë çdo person që të përmirësojë aftësitë e tij negociuese dhe ta pajisë me mjetet dhe praktikat e duhura për të arritur rezultatet më të mira për veten dhe për njerëzit që e rrethojnë. Nëse jeni fillestar, ky libër do t’ju tregojë, hap pas hapi, se si të negocioni me besim dhe të arrini sa më shpjet dhe me sa më pak dhimbje rezultatet që dëshironi. Nëse keni eksperiencë, do t’ju ndihmojë të bëheni një negociator më i mirë nga sa e kishit imagjinuar.
Negocimi, tani më shumë se kurrë, është një nga aftësitë thelbësore për sukses në të gjitha fushat e jetës. Na pëlqen apo jo, çdo njeri është një negociator. Të gjithë negociojmë diçka çdo ditë. Për disa persona, fjala ‘negocim’ përcjell ndjesi jo shumë të këndshme, sepse u sjell në mendje ndjenjën e konfrontimit, çka i shtyn të kenë frikë të negociojnë. Kjo vjen kryesisht nga mendimi se negociatorët janë në konflikt me njëri – tjetrin dhe duan rezultate të kundërta.
Jam i sigurt se pas leximit të këtij libri edhe ata do të kenë një këndvështrim tjetër.
Negocimi nuk kufizohet vetëm tek biznesi, por është një aftësi që të gjithë e përdorim çdo ditë, në nivel të vetëdijshëm apo të pavetëdijshëm. Me përjashtim të bindjeve etike dhe fetare, negociatat zhvillohen për të gjitha fushat e tjera të jetës. Nëse i referohemi faktit se një ditë të gjithë do të largohemi nga kjo jetë, çdo gjë tjetër përveç kësaj, mund të negociohet. Gjatë gjithë jetës procesin e negocimit e shikojmë në; blerjen dhe shitjen e mallrave, shërbimeve apo të pasurive të paluajtshme, në negocimin e pagave, në përzgjedhjen e ideve, në marrëdhëniet ndërpersonale, duke përfshirë ato me familjen, miqtë, fqinjët, kolegët, gruan, burrin, eprorin, klientin, partnerin, komunitetin, etj.
Negocimi është profesion jetik dhe si i tillë, duhet të mjeshtrohet në ato nivele sa të jetë një shprehi e zakonshme. Çdo aspekt i jetës sonë, personale apo profesionale, shesh kërkon që ne të bëhemi negociatorë më të mirë. Çdo njeri mund ta mësojë dhe zotërojë këtë aftësi. Ndërsa njerëzit lindin me tipare që mund të ndihmojnë ose të pengojnë aftësinë e tyre negociuese, të gjithë mund të mësojnë sesi të negociojnë në mënyrë më efektive.
Për fat të mirë, negocimi është një aftësi e përvetësueshme. Sa më shumë mësojmë dhe e praktikojmë negocimin, aq më të zotë bëhemi si negociatorë. Ky libër është një partner i duhur për çdo person që kërkon të arrijë marrëveshje të suksesshme dhe të ndërtojë marrëdhënie të forta e të qëndrueshme të çdo lloji. Ky libër do të ndryshojë mënyrën tonë të të menduarit dhe të vepruarit rreth negocimit. Mirësevini në “Artin e negocimit”!





Shqyrtime
Ende pa shqyrtime.